LGSH | Turizimi dentar në Shqipëri.
433
post-template-default,single,single-post,postid-433,single-format-standard,ajax_fade,page_not_loaded,,qode-theme-ver-10.0,wpb-js-composer js-comp-ver-4.11.2,vc_responsive

Turizimi dentar në Shqipëri.

Turizimi dentar në Shqipëri.

Reportazh: Pse joshen të huajt dhe emigrantët nga shërbimi dentar në vendin tonë?
Nga Ornela Shehu-gazetare Vizion Plus.

“Zoti ti fal dhëmbët dy herë në jetë, herën e tretë duhet t’i blesh vetë” . Kjo thënie me autor anonim, pasi mori një “like” nga profili im në facebook, nisi të më kuriozojë por edhe të më vërë përballë shumë turizmi_dentarpyetjesh.

A janë dhëmbët e mi në gjendjen e duhur? Tashmë që Zoti me mua e kish kryer dy herë misionin e tij bujar, më duhej të mendoja seriozisht  për “blerjen “ e tyre.  Po ku mund të siguroj një shërbim që të mos i “blej” për herë të katërt, si do të jetë ai dhe sa mund të më kushtojnë?

Të gjitha këto pyetje më lindën në pak sekonda, aq sa pa mendje dhe krejt instiktivisht nisa të kontrolloj me gjuhë dhëmbët e mi, shumica  ende dhuratë nga Zoti. Pasi kishin kaluar disa muaj nga dhimbja e fundit dhe mjekimi i një prej dhëmballëve të mia, mendova se më duhej një kontroll, sepse e dija që pa gjë nuk do të dilja. Kësaj herë thashë nuk do ta bëj “shqiptarçe”, do të shkoja tek stomatologu pa dhimbje. Përcaktova orarin dhe pas disa orësh u gjenda në klinikën e stomatologut që ndiqesha rregullisht.  Nuk mund ta fsheh se klinika ku shkoj, për sa më sheh syri rreth e rrotull, si një joprofesioniste në shërbimin dentar,  më thotë se duhet të  të besoj në zgjedhjen e bërë. Por nga ana tjetër, ndoshta edhe për shkak të profesionit tim, më ngrihen një sërë dyshimesh, aq sa fantazia më çon vetëm tek e keqja.

Pavarësisht kësaj, iu nënshtrova profesionistit dhe nuk dola pa  gjë, pasi kisha nevoje për ndërhyrje. Teksa një nga “dhëmbët e Zotit” po i nënshtrohej mbushjes, nga salloni i pritjes në klinikë, dëgjoja biseda të pacientëve, disa flisnin me nje anglishte perfekte, të tjerë në greqisht. Pasi dentisti mbaroi punë me dhëmbin tim, kurioziteti nuk më la të iki pa pyetur dhe ashtu si papritur hyra në profesion. Në pak minuta, doktor Sotiraqi iu nënshtrua intervistës së pacientes-gazetare.

Doktor, a ka ndryshuar shërbimi dentar në Shqipëri, si është ai në raport me vendet europiane?

Po sigurisht, shërbimi  dentar në Shqipëri është trasformuar tërësisht, jo vetëm krahasuar me atë të para viteve ‘90, por edhe me periudhën e mëvonshme. Pajisjet dhe metoda e punës janë përmirësuar e po ashtu është ngritur kualifikimi i mjekëve stomatologë.  Për mendimin tim, shërbimi dentar në përgjithësi sot është i krahasueshëm me atë në vendet europiane si në pamjen e jashtme, arredimin e klinikave ashtu dhe në  protokollet e praktikave dentare.

Vitet e fundit shumë emigrantë shqiptarë por dhe shtetas të huaj zgjedhin që shërbimin dentar ta marrin në Shqipëri, përse ndodh kjo?

Janë disa arsye – ma kthen mjeku. Emigrantët në përgjithësi i kryejnë shërbimet dentare në Shqipëri. Duke shfrytëzuar kohën e pushimeve, ata marrin shërbimin këtu për arsyen kryesore sepse tarifat tek ne janë shumë më të ulta se në vendet ku ata jetojnë.

Pse si janë çmimet dentare në Shqipëri krahasuar me vendet fqinjë, ato në Europë apo dhe Shtetet e Bashkuara  të Amerikës?

Tarifat e shërbimit dentar janë disa herë më të ulta- më thotë doktor Sotiraqi. Duke u bazuar në bisedat me emigrantët që kryejnë mjekime në klinikë, tarifa e një heqje të thjeshtë në Shqipëri nuk arrin në asnjë rast tarifën e vizitës së thjeshtë në klinikat jashtë. Kështu më thotë mjeku, një  mbushje që tarifohet sipas gradës, këtu  kushton 20 deri 60 euro. Ndërsa në vende si Greqia apo Italia shkon 10-fishi i kësaj shume. I njëjti raport mund të thuhet edhe për punimet e tjera. Një koronë porcelani, në varësi të materialeve të përdorura, në Shqipëri shkon nga 60 -150 euro, ndërsa në këto vende tarifat variojnë nga   600 në  1200 euro. Implantet që mestarisht në Shqipëri kushtojnë  500 – 600 euro, në këto vende  janë 2000 ose më shumë euro. Këto çmime janë të përafërta edhe në SHBA.

Nuk mund të fsheh habinë që me një zero më pak, dhëmbët këtu në Shqipëri të kenë të njëjtën cilësi me ato të punuara në vendet europiane apo SHBA e Kanada.  Ndaj dhe vijoj të pyes.

 Nëse çmimet  janë vërtet joshëse  për emigrantët dhe te huajt, si është cilësia e materialeve dentare tek ne? A keni mundeësi ti përzgjidhni doktor?

Këtu qëndron edhe një paradoks. Materialet që përdoren në shërbimin dentar janë të gjitha të importuara dhe distributorët dentarë në Shqipëri janë palë të treta, të parëndësishme për tregun e materialeve dentare. Kështu që çmimet e tyre janë njësoj ose shumë herë edhe më të larta se në vendet fqinjë. Për cilësinë e materialeve jemi të varur nga sa i garantuar dhe i kontrolluar është dhe distributori.

A është  Shqipëria vendi i duhur për turizimin dentar, çfarë do sygjeronit ju doktor?

Shqipëria është një vend i mirë edhe për turizmin dentar. I krahasuar me çmimet e turizmit në përgjithësi, ai dentar do të ishte në krye. Si mjek stomatolog, do të sygjeroja vetëm kontrollin e vazhdueshëm nga organet përgjegjëse për të mos lejuar abuzimet në këtë shërbim. Ruajtja e standarteve, higjenë, sterilizim për të rritur besueshmërinë dhe sigurinë e shëndetit të pacientëve. Rritje të kualifikimit të mjekëve stomatologë dhe moslejimin e kujtdo që shkel këto standarde.

Në pak minuta bisedë mora shumë inforrmacion, mesazhe por dhe disa doza të përzjera sigurie e pasigurie. Duke ia lënë vendin emigrantëve turistë që prisnin të merrnin shërbimin dentar 10 herë më të lirë se në vendet ku jetojnë,  unë u largova me një dhëmb të ri.

Blerje me leverdi?!  Ndoshta, sepse ndryshe nga blerjet e tjera që si të gjithë preferoj t’i marr jashtë, kësaj të dhëmbëve nuk i ikën moda pavarësisht çmimit.  Megjithatë dhuratat janë vërtet të çmuara, sidomos kur ato bëhen nga Zoti dhe jo një por dy herë.

No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.