LGSH | Nuk kemi filtra për barnat gjenerike.
397
post-template-default,single,single-post,postid-397,single-format-standard,ajax_fade,page_not_loaded,,qode-theme-ver-10.0,wpb-js-composer js-comp-ver-4.11.2,vc_responsive

Nuk kemi filtra për barnat gjenerike.

Nuk kemi filtra për barnat gjenerike.

Nga: Prof. dr. Mentor Petrela, Shef i shërbimit të Neurokirurgjisë, QSUT.
Intervistoi : Alma Demiraj, Gazetare Top Channel.

mentor_petrelaTendenca sot në Botë është që në shëndetësi të bëhet sa më tepër ekonomi. Vetë vendet e Bashkimit Evropian, prej vitesh kanë marrë masat për t’i dhënë prioritet futjes së barnave gjenerike. Duke bërë këtë, kanë reduktuar buxhetet si në Francë, Gjermani , Hollandë në 30 %, diku edhe deri në 40% , pra konsiderueshëm. I sëmuri vihet përballë alternativës që duhet të zgjedhë , por natyrisht me kontributin e xhepit të vet, në qoftë se do të shkojë drejt patentës apo do të marrë gjenerikun. Pra mjeku sot në vendet që po flas, nuk është I detyruar të shkruajë bar gjenerik. Nëse dikush pretendon se do markën, duhet të paguajë për markën. Kjo është sot ajo që ndodh në vendet e komunitetit europian.

Përse një situatë e tillë nuk përkthehet në vendin tonë? Sepse ne kemi probleme në cilësinë e preparateve që hidhen në treg. Natyrisht, kalimi nga më shumë barna patentë te gjeneriket, mund të bëhet në qoftë se do të kemi garanci të cilësisë së barnave, sepse e gjithë loja këtu do të jetë. Sa do të jemi seriozë? Duhet edhe të bëjmë ekonomi, por edhe përsa i përket kontrollit, duhet të jemi rigorozë. Kompanitë që janë të regjistruara, -flasim për kompani të mëdha europiane, – kanë standardet e tyre dhe ne e kemi vënë re këtë. Standarti i tyre ka qenë solid, por në një pjesë tjetër pastaj, ka pasur abuzime. (nuk flas për kompani të mëdha sepse ne nuk jemi treg aq i madh dhe ato nuk kanë interes, por pjesa tjetër pastaj ka patur abuzime).

Por më lejoni të sqaroj se, kjo nuk do të thotë që gjenerikët janë më pak efikase, madje gjyqe të tilla ndërkombëtare janë fituar në Indi me kompani shumë të mëdha (nuk po flas me emra sepse futemi në konflikt interesi pastaj). Duhet thënë se bari gjenerik serioz është njëlloj si “brand name”, POR për shoqëri dhe sisteme të kontrollueshme. A kemi ne një sistem kontrolli të tillë? Nuk e kemi! Këtë duhet ta shikojë administrata, sepse ne kemi një të keqe të madhe, kemi ligje të mira..në letër! Se për shembull, ne kemi ligje si ai i ndalimit të duhanit dhe çfarë ndodh? Duhani fillon që nga parlamenti dhe mbaron te të gjitha kafenetë. Kur një shoqëri nuk respekton ligjet e veta, atëhere përse janë ligjet? Pra edhe ekonomi duhet bërë, por jo në kurriz të cilësisë! Këtë balancë duhet ta mbajë në kontroll Ministria e Shëndetësisë.

No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.