LGSH | Kontrolli në Tiranë, 15 klinika pa liçensë.
468
post-template-default,single,single-post,postid-468,single-format-standard,ajax_fade,page_not_loaded,,qode-theme-ver-10.0,wpb-js-composer js-comp-ver-4.11.2,vc_responsive

Kontrolli në Tiranë, 15 klinika pa liçensë.

Kontrolli në Tiranë, 15 klinika pa liçensë.

Mbetjet e rrezikshme, asnjë penalizim.
Vëzhgimi i Urdhrit të Mjekut në 151 klinika dhe laboratorë stomatologjikë.
Nga Sonila Mlloja Cemurati, Gazetare TVSH.

Monitorimi i standartevimagese të ushtrimit të profesioneve mjekësore është një nga detyrat kryesore të urdhrave përkatës të profesionistëve, duke mbajtur gjithmonë në fokus pacientin dhe ruajtur dinjitetin profesional të mjekut. Por nëse do të shohim se si monitorohet tregu stomatologjik në vend nga Urdhri i Mjekut do të kuptojmë se kjo detyrë është realizuar në më të shumtën e kohës në mënyrë pasive dhe shumë pak në mënyrë aktive. Pra e thënë ndryshe, duke qëndruar në pritje të ankesave të pacientëve dhe jo nëpërmjet organizimit të  kontrolleve e verifikimeve me specialistë të zgjedhur të fushës. Këtë e pranojnë dy drejtuesit kryesor të Urdhërit të Mjekut, ai i përgjithshëm Dr.Dine Abazaj dhe ai  për Rajonin e Tiranës, Dr. Faik Toska, të cilët thonë se e gjithë kjo ka ardhur si pasojë e mungesës së kapaciteve në specialistë dhe infrastrukturë.

Nëse do të bësh një kërkim në google të klinikave dentare në Shqipëri, do të dalin me qindra të tilla që reklamojnë me shkrim dhe video shërbimet e tyre me një potencial teknologjik bashkëkohor dhe standarte trajtimi të avancuara. Edhe nëpër stacione të ndryshme televizive nuk ka ditë të mos ndeshesh me reklamat e disa prej tyre “të gatuara” gjithë shkëlqim. Por nëse do t’i drejtohesh të dhënave më të fundit të nxjerra nga Urdhri i Mjekut mbi këto klinika, do të kuptosh që ky standart mbetet tipar vetëm  i disa dhjetra klinikave, sepse në pjesën dërmuese shihet një tjetër realitet.

Kontrolli, 15 klinika pa licensë.

Nga një kontroll që Urdhëri i Mjekut ushtroi në 151 kabinete stomatologjike vetëm në rajonin Tiranës në Maj të këtij viti, rezultoi se 15 klinika punonin në mënyrë abuzive pa liçencë duke qënë kështu jo vetëm jashtë kontrollit por edhe burim spontan problemesh shëndetësore. Gjithashtu në 20% të klinikave, u konstatua se punohet pa kartela mjeksore për pacientët apo pa u mbështetur në një rregjistër të thjeshtë, çka përbën kundravajtje me standartet e miratuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe parimet e Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjeksore.

Në kundravajte më këtë Kod, është konstatuar se shumë klinika, nuk marrin konsentin e pacientit, (miratimit pas informimit) për ndërhyrjet që u bëhet atyre. Vetëm 45 klinika ose 35% në rajonin e Tiranës e ushtrojnë si metodë pune marrjen e këtij miratimi, ndersa në 80 të tjera apo 54% ky miratim nuk merret. Por pse ndodh kjo? Justifikimet e mjekëve për këtë mangësi në komunkim me pacientin janë nga më të ndryshmet, që nga indiferenca e deri tek frika në kuadrin e konkurrencës dhe largimit të pacientëve në momentin që u sqarohen rreziqet dhe u kërkohet konsenti (miratimi) i informimit. Kjo gjë ka sjellë jo në pak raste përplasje mes tyre, duke i bërë stomatologët të pabesueshëm profesionalisht në sytë e pacientëve dhe jo rrallë here, objekt i gjykimeve disiplinore.

Mbetjet e rrezikshme, kërcënim serioz.

Mbetjet e rrezikshme të klinikave dentare janë një tjetër kërcënim real dhe krejtësisht jashtë kontrollit.  Nga një vëshgim i kryer në 151 kabinete apo klinika stomatologjike të Rajonit të Tiranës, vetëm 17 prej tyre i largojnë mbetjet e rrezikshme që prodhojnë (si mjetet shpuese, dhëmbë apo dhëmballë të hequra, lëndë kimike, doreza etj) mbi bazën e një kontrate të rregullt me firmën e liçencuar për këtë problem, sipas legjislacionit në fuqi. Të gjithë të tjerët i hedhin mbetjet e rrezikshme  te kontenieri më i afërt i mbetjeve urbane, që shërben për qytetaret, duke i kthyer këto pika grumbullimi në potenciale të rrezikshme kontaminimi në çdo rast kur ato trazohen nga indivdë të vetpunësuar në selektimin e mbeturinave. Këto klinika nuk janë penalizuar asnjeherë për shkeljen e rregullores se administrimit të mbetjeve të rrezikshme spitalore.

Urgjencat, problematike dhe në privat.

Sipas kontrollit të ushtruar nga Urdhri i Mjekut, urgjencat stomatologjike janë përballuar spontanisht nga shërbimet private, të cilat nuk kanë kontrata shërbimi. Megjithëse kjo problematikë shprehet nga stomatologët, në 107 kabinete e klinika të monitoruara, edhe pse është konstatuar pajisja me kutinë e preparateve të nevojshme të urgjencës, brenda saj janë vërejtur mungesa të inventarit si dhe ekzistenca e ampulave të skaduara, mungesë të oksigjenit, të kanjulave etj. Ajo që vlerësohet shqetësuese është se ndër stomatologët e kontrolluar konstatohet mungesë e përgatitjes profesionale për të përballuar një urgjencë. Në 42 klinika e kabinete, domethënë 28% e objekteve të kontrolluara, nuk kanë asgjë në drejtim të përballimit të urgjencës stomatologjike.

Aparatet e rëntgenit.

Pajisja me aparate rëntgeni e klinikave apo kabineteve stomatologjike për kryerjen e grafisë së aparatit të gojës, është një tregues i rritjes së nivelit të punës dhe standardeve profesionale. Në 151 objekte të verifikuara para pak muajsh, 66 prej tyre ose 44% janë pajisur me aparate rëntgeni dixhitale. Përdorimi i aparateve të rëntgenit shërben edhe si një mënyrë efektive e kontrollit dhe dokumentimit të punës së kryer nga mjeku. Por sipas Urdhërit të Mjekut, këto aparate të instaluara funksionojnë jashtë rregullave për mbrojtjen e pacientëve dhe personelit mjekësor nga rrezatimi jonizues. Kjo përbën shkelje të normave mbi sigurinë në punë dhe mbrojtjes nga rrezatimi jonizues. Sipas kontrollit në terren është vërjetur se shumica e tyre funksionojnë pa qenë të pajisura paraprakisht me leje nga enti përkatës i Ndjekjes dhe Kontrollit të Njësive Bërthamore.

Sa e njohin dhe e zbatojnë ligjin stomatologët?

Nga kontrollet e ushtruara në klinikat private rezulton se mangësitë e konstatuara në ushtrimin e profesionit  kanë si shkak kryesor mosnjohjen, e për pasojë moszbatimin e  ligjeve dhe  udhëzimeve të Ministrisë Shëndetësisë dhe të Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore. Mjaft akte, si ai që bën fjalë për standardet e akreditimit, për rregulloren e vitit 2012 “Mbi shërbimin e shëndetit oral në Republikën e Shqipërisë”, ai mbi aplikimin e kartelës mjekësore të unifikuar, mbi sistemin e referimit në stomatologji, janë problemet që vihen re më shumë në praktikën e punës së stomatologëve privatë. Këto konstatime, pavarësisht faktit se janë mbledhur në Rajonin e Tiranës, sipas Urdhrit të Mjekut, problemet e mësipërme janë prezent në mbarë vendin. Urdhri i Mjekut e ka dërguar këtë raport pranë Ministrisë së Shëndetësisë, por ende nuk është marrë asnjë masë për klinikat abuzuese.

No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.