LGSH | “Edukimi në Vazhdim të ketë diferencime”
390
post-template-default,single,single-post,postid-390,single-format-standard,ajax_fade,page_not_loaded,,qode-theme-ver-10.0,wpb-js-composer js-comp-ver-4.11.2,vc_responsive

“Edukimi në Vazhdim të ketë diferencime”

“Edukimi në Vazhdim të ketë diferencime”

Nga : Prof. Dr. Ali Refatllari

refatllariEdukimi mjekësor i vazhdueshëm është një proces shume i rëndësishëm për të përditësuar njohuritë mjekësore të personelit të lartë në fushën përkatëse që ata mbulojnë. Ai është një nga shtyllat e sigurimit të kualitetit në kujdesin mjekësor. Ai mund të realizohet në forma të ndryshme që nga tavolinat e rrumbullakëta, pjesëmarrja aktive dhe pasive në konferenca dhe kongrese, publikime në revista kombëtare dhe ndërkombëtare, programe edukimi on –line, etj. Sigurisht, që programet e edukimit të vazhdueshëm drejtohen dhe udhëhiqen nga institucione që kanë kapacitetin e duhur intelektual dhe institucional si Universiteti, Fakultetet, Shoqatat Profesionale Mjekësore, etj.

Në shume vende të Evropës dhe USA kërkohet edukimi i vazhdueshëm i formalizuar në orë ose kredite për të ruajtur licencën profesionale. Në vendin tonë edukimi i vazhdueshëm zbatohet prej shumë vitesh por kërkimi i detyrueshëm institucional ka filluar vetëm vitet e fundit me organizimin e Qendrës Kombëtare të Edukimit të Vazhdueshëm (QKEV). Në këndvështrimin tim edukimi i vazhdueshëm në vendin tonë duhet të ketë një rol principal dhe shumë të rëndësishëm për përditësimin e njohurive bashkëkohore. Shkenca mjekësore dhe sidomos ajo e aplikuar ka një ecuri marramendëse dhe vetëm format e organizuara të edukimit të vazhdueshëm krahas atyre individuale do të bëjnë të mundur trajtimin modern të të sëmurëve sipas standardeve që kërkon koha. Krahas vullnetarizmit format e detyruara institucionale janë të domosdoshme për të realizuar këtë proces.

Jam i mendimit që roli i QKEV duhet forcuar dhe lartësuar duke përfshirë në gjirin e tij personalitete të shquara në fushën e shkencës mjekësore, përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, UMT dhe fakultetet përkatëse të tij, përfaqësues të shoqatave mjekësore aktive, përfaqësues të Urdhrit të Mjekut, etj. Bazuar në kreditet e fituara realizohet akreditimi i personelit të lartë mjekësor nga QKEV . Referuar programit të ricertifikimit të QKEV cikli i parë ka filluar në Janar 2010 dhe përfundon në dhjetor 2014. Numri minimal i krediteve që kërkohet është 150 për 5 vite. Jam i mendimit që për akreditimin e mjekëve, stomatologëve dhe farmacistëve , të ketë një lloj përshkallëzimi në vartësi të kushteve që ushtrojnë ata profesionin. Nuk mund të vlerësohen me të njëjtin kriter mjekët që punojnë në Qendra Spitalore Universitare me ata që ushtrojnë aktivitetin në një qendër shëndetësore rurale. Mundësitë teorike dhe praktike të përditësimit të njohurive janë krejtësisht të pabarabarta në këto nëngrupe profesionistesh.

Do ti sugjeroja drejtuesve të QKEV të kenë parasysh vlerësimin kuantitativ dhe kualitativ të profesionistëve në vartësi të kushteve reale diagnostike, mjekuese, që ata zotërojnë duke bërë një lloj diferencimi. Kjo do të thotë që të rriten kërkesat për mjekët e Qendrave Spitalore Universitare në krahasim me ata të qendrave të ndryshme shëndetësore. Procesin e ricertifikimit të mjekëve të bazuar në kreditet që ata fitojnë me forma të ndryshme të edukimit në vazhdim e konsideroj shumë pozitiv si një mekanizëm që do ti shërbejë shumë rritjes cilësore të përditësimit të njohurive shkencore të personelit mjekësor në shërbim të jetës së pacientit.

No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.