LGSH | Akreditimi proçes korrekt, ka abuzime nga mjekët.
411
post-template-default,single,single-post,postid-411,single-format-standard,ajax_fade,page_not_loaded,,qode-theme-ver-10.0,wpb-js-composer js-comp-ver-4.11.2,vc_responsive

Akreditimi proçes korrekt, ka abuzime nga mjekët.

Akreditimi proçes korrekt, ka abuzime nga mjekët.

Nga: Prof. dr. Anila Godo

anilaProçesi i akreditimit të mjekëve është një nga mënyrat e duhura, apo një hallkë e zinxhirit të strategjisë mbi edukimin profesional në fushën e shëndetësisë. Çdo mjek që ka zgjedhur këtë profesion me dëshirë e pasion duhet normalisht të ketë për zemër edhe ngritjen e vazhdueshme profesionale. Për këtë kontigjent, tërësinë e masave të edukimit në vazhdim do ta shihja si një ndihmë të madhe ofruar profesionistit në udhën e zgjedhur, si një komoditet për të.

Nga ana tjetër është po aq normale që çdo profesionist, edhe ai që mbart brenda tij sedrën, pasionin e përkushtimin e duhur, ka nevojë herë pas here për nxitje të jashtme. Motivimi shpesh është larg pritshmërisë dhe jeta në tërësi shpesh është e lodhshme dhe stresuese, me periudha që zbehin dëshirën për perfeksionim profesional. Përveç kësaj, fatkeqësisht, ndodh të kemi diku edhe profesionistë të shëndetit që kanë marrë gabimisht këtë rrugë, pasi për filozofinë e tyre të jetës do ish më mirë të kishin zgjedhur fushat e biznesit. Pra, në tërë këto këndvështrime, edhe akreditimin e mjekëve si parametër vlerësues i edukimit të vazhdueshëm të tyre, do e shihja si masë efikase.

Ky është një proçes i drejtuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe i realizuar nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim. Me sa kam mundur të konstatoj është një proçes i kryer me mjaft korrektësi dhe seriozitet. Nuk shoh asnjë abuzim nga ana e QKEV, por ka abuzime nga ana e mjekëve. Ndodh që mjekë të ndryshëm shkojnë në një aktivitet shkencor vetëm për të marrë kredite. Ata rregjistrohen dhe më pas përpiqen me mënyra nga më të ndryshmet të largohen nga aktiviteti pa fituar atë që është më e rëndësishmja, dijen. Ky duket një paradoks i hidhur por ndodh realisht. Ka një përpjekje nga institucionet që organizojnë eventet shkencore dhe kërkesë nga QKEV që këto evente të jenë më interactive dhe të përmbyllen me vleresim real të dijeve të përftuara gjatë seminarit apo konferencës.

Mendoj se ka rëndësi edhe bashkpunimi më i mirë ndërmjet institucioneve drejtuese dhe shoqatave të mjekëve për të parazgjedhur si objekt të këtyre eventeve, probleme që në kohë e rajone të ndryshme të vendit bëhen shqetësim për shëndetin e qytetareve. Pra, që akreditimi të jetë sa më real duhet edhe vetë ai të jetë një proces në përmirësim të vazhdueshëm. E nëse më pyesini se a e ben mosmarrja e krediteve një mjek të paaftë? Do të thoja se një mjek e bën të paaftë një edukim profesional i ndërprerë, i cunguar e pa standartin e kërkuar nga koha. Kreditet janë vetëm një vlerësues në letër e në shifra i këtij edukimi.

Nëse këto nuk përputhen do të thotë se mjeku ‘ka përtuar” të përcjellë në QKEV procesin e edukimit të tij, ose e ka shpërfill këtë si të panevojshme. Në të dy rastet nuk është mirë. Duhet të mësohemi të respektojmë disiplinën e kërkuar nga shteti sepse çdo vlerësim i përgjithshëm do bëhet bazuar në shifra.

Jam e mendimit se duhet të mësohemi me edukatën e zbatimit të ligjeve, rregulloreve, statuteve etj sepse vetëm kështu ecet. Nëse diçka na duket fiktive apo abuzive të bëhemi pjesë e ndryshimit por jo e rebelimit dhe anarkisë. Nuk kam dijeni të plotë mbi sanksionet e MSH për mjekët që nuk kanë përmbushur kreditet e kërkuara, sidoqoftë nuk do isha për masa ekstreme, por për një shkallëzim masash nxitëse dhe displinuese.

No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.